GAZETA BRITANIKE “FINANCIAL TIMES”: BASHKIMI EUROPIAN PO KONSIDERON PËRDORIMIN E LIGJIT BELG TË VITIT 1944 PËR TË MBROJTUR SANKSIONET KUNDËR RUSISË | 190 MILIARDË € ASETE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 17
- 2 min read

Londër, Britania e Madhe | Zyrtarët e Bashkimit Evropian po hartojnë masa të jashtëzakonshme, duke përfshirë përdorimin e një ligji belg të vitit 1944, për të mbrojtur sanksionet kundër Rusisë pasi Hungaria kërcënoi të vërë veton për rinovimin e tyre.
Kështu raporton gazeta britanike “Financial Times”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban lëshoi një paralajmërim për 26 udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Europian dhjetorin e kaluar duke njoftuar se ai mund të bllokojë rinovimin e sanksioneve, të cilat, kërkojnë miratim unanim, duke bërë që ato të skadojnë më 31 janar.
Kryeministri Orban tha se donte të priste derisa presidenti i zgjedhur Danlld Tramp (Donald Trump) të përurohej si president i SHBA-ës më 20 janar 2025 përpara se të merrte një vendim.
“Me një ndryshim të rëndësishëm në administratën amerikane, nevojitet një diskutim i rëndësishëm përpara se të vendoset për rinovimin e regjimit të sanksioneve për gjashtë muaj të tjerë”, tha Janos Boka, ministër i Hungarisë për Çështjet Evropiane.
Javën e kaluar, administrata në largim e presidentit Xhëu Baidn (Joe Biden) mori masa të reja për të komplikuar çdo përpjekje të z. Tramp për të hequr sanksionet e SHBA-ës kundër Moskës.
Ndërsa objektivi kryesor mbetet për të bindur kryeministrin Orban për të mbështetur rinovimin e sanksioneve, zyrtarët e Bashkimit Europian megjithatë po studiojnë zgjidhje alternative.
Këto përfshijnë përdorimin e një ligji belg të vitit 1944 që lejon mbretin të bllokojë transferimin e aseteve të mbajtura në vend.
Sanksionet përfshijnë rreth 190 miliardë euro asete shtetërore ruse të lidhura në Euroclear - një kompani belge e shërbimeve financiare - me fitime të destinuara për shlyerjen e një kredie prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Nëse sanksionet nuk rinovohen, fondet mund të kthehen menjëherë në kontrollin e Rusisë, duke vënë në rrezik kufizime të rëndësishme tregtare dhe sektoriale, si ndalimi i importeve të naftës.
“Nëse Orban nuk dorëzohet, zgjidhja e vetme është kombëtare”, tha një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian.
Megjithatë, përdorimi i masave të jashtëzakonshme mund të shkelë një traktat dypalësh midis Belgjikës dhe Rusisë, duke i hapur rrugën sfidave të mundshme ligjore.
Disa shtete anëtare kanë propozuar pezullimin e të drejtave të votimit të Hungarisë për të detyruar një rinovim të sanksioneve, por ky opsion do të kërkonte unanimitet, gjë që nuk ka gjasa të arrihet.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme belge tha: “Belgjika, së bashku me vendet e tjera anëtare të BE-së, po bëjnë gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje për rinovimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Ne kemi gjetur një marrëveshje në të kaluarën dhe do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që të jetë kështu edhe këtë herë”.
Zëdhënësja e çështjeve të jashtme të BE-së, Anitta Hipper përsëriti se po punohet për të siguruar një marrëveshje të shpejtë dhe të qetë midis vendeve anëtare për të zgjatur sanksionet.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments