Guaiana Franceze | Një fluturim pa ndalesë prej 4200 kilometrash mbi Oqeanin Atlantik, nga Afrika Perëndimore në Amerikën e Jugut, i realizuar në më pak se tetë ditë me një erë të favorshme: ky është suksesi rekord i arritur nga disa flutura të species Vanessa cardui, të gjetura nga një entomologe duke ecur në një plazh në Guianën Franceze.
Duke dokumentuar fluturimin e tyre të jashtëzakonshëm transoqeanik është studimi i publikuar në revistën Nature Communications nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga Instituti Botanik i Barcelonës, Spanjë.
Për t'u përpjekur të kuptojnë origjinën e këtyre fluturave të gjetura në Amerikën e Jugut, por që zakonisht migrojnë midis Europës dhe Afrikës Sub-Sahariane, studiuesit përdorën një qasje multidisiplinare.
Së pari ata analizuan trajektoret e erës, duke identifikuar një korridor që mund të kishte mbështetur udhëtimin e tyre nga Afrika në Amerikën e Jugut.
Më pas, duke studiuar diversitetin gjenetik të fluturave, ata përcaktuan se ekzemplarët e vëzhguar në Amerikën e Jugut kishin lidhje me popullatat në Europë dhe në Afrikë, duke përjashtuar mundësinë e një origjine nga Amerika e Veriut.
Studimi i polenit të depozituar në trupat e fluturave bëri të mundur identifikimin e dy llojeve të bimëve që gjenden vetëm në Afrikën tropikale, duke treguar kështu se fluturat kishin vizituar lulet e atij rajoni.
Më në fund, zbulimi i izotopeve të hidrogjenit dhe stronciumit të pranishëm në krahët e tyre tregoi se jeta e tyre si larva duhet të ketë ndodhur në vendet e Europës Perëndimore si Franca, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar ose Portugalia.
“Kjo do të thotë se fluturat arritën në Amerikën e Jugut nga Afrika Perëndimore, duke fluturuar të paktën 4200 kilometra mbi Atlantik, por udhëtimi i tyre mund të ketë qenë edhe më i gjatë - vëren z. Clément Bataille, profesor në Universitetin e Otavës në Kanada dhe bashkëautor i studimit - duke u nisur nga Europa dhe duke kaluar tre kontinente, me një migrim prej 7000 kilometrash ose më shumë.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për një insekt kaq të vogël për biodiversitetin dhe ekosistemet në mbarë botën”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments