
Amsterdam, Vendet e Ulëta | Gjyqi i pesë burrave të akuzuar për dhunë ndaj tifozëve izraelitë të futbollit në nëntor u hap të mërkurën përpara një gjykate në Amsterdam.
Të pandehurit, të moshës nga 19 deri në 32 vjeç, do të përballen me një trup gjykues prej tre gjyqtarësh.
Dy të pandehur të tjerë do të dalin të enjten. Të shtatë janë akuzuar për akte dhune, sipas zyrës së prokurorit publik holandez.
Natën e 7-8 Nëntorit, pas një ndeshje të Ligës së Evropës ndërmjet Ajaks (Ajax) Amsterdamit dhe Maccabi Tel Aviv, mbështetësit e ekipit izraelit u ndoqën dhe u rrahën në rrugët e kryeqytetit holandez.
Autoritetet raportuan se pesë veta u shtruan në spital për një kohë të shkurtër pas sulmeve, të cilat, u përshkruan si antisemite nga Holanda dhe vendet e tjera perëndimore.
Sipas policisë, tensionet kanë qenë të larta para ndeshjes. Parulla anti-arabe u brohoritën nga mbështetësit izraelitë, të cilët gjithashtu vandalizuan një taksi dhe dogjën një flamur palestinez.
Policia tha se po hetonte të paktën 45 persona në lidhje me dhunën.
“Akuza janë ngritur edhe kundër tifozëve të Maccabi-t, të cilët u sollën në mënyrë provokuese para ndeshjes”, tha në një deklaratë zyra e prokurorit publik holandez.
I pari që doli para gjyqtarëve të mërkurën është një 19-vjeçar nga Monnickendam, në verilindje të Amsterdamit.
Ai akuzohet se ka kryer dhunë në stadiumin e Ajaksit, Johan Cruyff Arena, dhe dyshohet se ka bërtitur parulla antisemitike dhe ka hedhur gurë ndaj policisë.
Ai akuzohet gjithashtu për ndarjen e informacioneve për dhunë dhe mbajtje pa leje të fishekzjarrëve.
Më vonë, një 22-vjeçar nga rajoni Eindhoven në jug të vendit do të shfaqet për t'iu përgjigjur akuzës më të rëndë në këto raste, atë të tentativës për vrasje.
Akuza ndaj tij lidhet me sulmet e kryera pranë sheshit Dam, sheshit kryesor të qytetit.
Përveç shtatë të pandehurve të paraqitur këtë javë, të paktën gjashtë persona të tjerë përballen me akuza në lidhje me dhunën e ndodhur atë mbrëmje dhe në ditët në vijim. Tre prej tyre janë të mitur dhe çështjet e tyre do të shqyrtohen me dyer të mbyllura.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Komentarze