FAMULLITARI I KISHËS KATOLIKE DOM VLASH PALAJ DENONCOI DROGËN; KAMATËN E PALIGJSHME; POLITIKANË E KORRUPTUAR DHE LAKMINË PËR PASURIM TË SHPEJTË NGA ANA E RINISË E CILA NUK DO TË EDUKOHET PËRSËMBARI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Mar 10
- 2 min read

Shkodër, Shqipëri | Famullitari i Kishës Katolike në Shkodër, Dom Vlash Palaj, në meshën e të dielës sulmoi verbalisht ashpër politikanët shqiptarë, duke i konsideruar si shtresën më injorante dhe më të ulët të popullit.
Përpara besimtarëve ai deklaroi se etja për pushtet i ka tjetërsuar dhe tashmë mëkati i korrupsionit po i çon në burg njëri pas tjetrit.
“Vëreni këta politikanët tanë. Me këtë situatë që është krijuar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë çfarë janë, dhe më vjen keq për ta, sepse më duken shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit shqiptar.
Pse? Sepse iu jepet pak pushtet. Njerëzit e kanë këtë bujari, ua japin pak pushtet. Po ushtroje të mirën, por jo, ata mbledhin vetëm për vete.
Nuk është problemi te ajo që mbledhin, por nxjerrin në pah varfërinë e shpirtit të tyre. Atë mizerien e brendshme.
Njerëz të cilët jetojnë vetëm për të pasur diçka dhe shpërfytyrojnë natyrën e tyre duke përfunduar në burg.
Si more, në burg ti? Të kemi votuar për të na bërë mirë. S’kemi problem, bëni mirë edhe për veten tuaj, por mos abuzoni deri në atë pikë sa të na merrni në qafë.
Sa të na hiqni bukën e gojës, sidomos atij që lufton ashpër çdo ditë vetëm për bukën e përditshme.
Aty është e pafalshme. Mëkati të çon në vdekje, prandaj mëkati i korrupsionit të çon në burg. Të çon në burg”.
“Thotë Krishti, herët a vonë, çdo gjë do të dalë në dritë. Kanë etje për pushtet të shkretët, prandaj devijojnë. Si nuk doli një të thotë: ‘Kam etje për të shërbyer’”, pyeti ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments