top of page
E BARDHË SHIRIT.png
Writer's pictureAgjencia Telegrafike Vox

EURODEPUTETI FREDI BELERI DOLI NGA BURGU ME VENDIM TË GJYKATËS SË FIERIT EDHE PSE I KISHIN MBETUR EDHE DISA JAVË NGA DËNIMI PENAL I SHQIPTUAR NGA GJKKO-ja.

Fier, Shqipëri | Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shqiptoi një vendim të ndërmjetëm ndaj z. Fredi Beleri, me anë të cilit, ai u lirua nga burgu.

 

Ai u dënua me 2 vjet heqje lirie për blerje votash. Kumtohet se kishte për të kryer edhe 6 javë burg.

 

Ai u zgjodh eurodeputet nga burgu nën siglën e partisë në pushtet në Greqi “Demokracia e Re”.

 

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të martën më 5 mars të 2024 të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

 

I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, z. Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

 

Vendimi penal për z. Beleri u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe me anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muaj.

 

Shpallja e vendimit penal u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e z. Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.

 

Para se trupi gjykues të tërhiqej për vendim penal z. Beleri paraqiti qëndrimin e tij përfundimtar, duke e cilësuar hetimin e prokurorisë dhe vendimarrjet e ndërmjetme të gjykatës si politike, me qëllim vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Bashkinë e Himarës.

 

Ai u ndërpre nga kryesuesi Çela, i cili i kërkoi që të mos anatemonte trupin gjykues, por të paraqiste pretendimet e tij përfundimtare lidhur me akuzën e ngritur nga prokuroria.

 

“Që nga fillimi e deri më sot kjo çështje është politike,” tha z. Beleri, fjala e së cilit u duartokit nga mbështetësit e tij në sallë.

 

Z. Beleri dhe z. Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.

 

Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota.

 

Po ashtu, z. Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, z. Pandeli Kokaveshi.

 

Z. Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt.

 

Megjithëse i arrestuar, z. Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit 2023 për kreun e Bashkisë së Himarës.

 

Dosja u transferua prej Prokurorisë së Vlorës në atë të Posaçme, e cila kërkoi deklarimin fajtor të z. Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe dënimin e tij me 2.6 vjet burg.

 

Për z. Kokaveshi prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vjet heqje lirie dhe pezullimin e masës ndëshkimore për arsye shëndetësore, me kusht që të paraqitet pranë shërbimit të provës për katër vjet.

 

Përfaqësuesi ligjor i z. Belerit dhe z. Kokaveshi, avokati Geni Gjyzari, u qëndroi gjatë konkluzioneve përfundimtare pretendimeve të parashtruara gjatë gjithë seancave se hetimi i kryer ishte i paligjshëm dhe se aktet e prokurorisë për rrjedhojë janë të papaërdorshme.

 

Ai evidentoi se nuk ishte kompetencë e Prokurorisë së Vlorës për kryerjen e hetimeve të tilla, por e SPAK-ut.

 

Ai konstatoi se përgjimet dhe vëzhgimet e policisë ishin kryer me iniciativë, pëparara se të nxirrej një urdhër nga prokuroria. Për prokurorët që kishin hetuar çështjen në Vlorë, tha se ishin zgjedhur duke shmangur shortin.

 

Sipas z. Gjyzari, dëshmitarët mbi të cilët ishte bazuar hetimi, z. Arsen Rama dhe z. Avdul Rama (vëllezër) kishin dhënë disa deklarime kontradiktore e të rreme.

 

Sipas z. Gjyzari, fakti se dëshmitari Arsen Rama ishte paguar nga policia, përbënte një vepër penale, pasi një bashkëpunëtor i prokurorisë nuk mund të paguhet.

 

Ai shpjegoi se paguhen vetëm informatorët e policisë dhe jo bashkëpunëtorët apo dëshmitarët e prokurorisë.

 

Sipas avokatit, dukej se gjithë veprimet e kryera nga policia dhe prokuroria e Vlorës kishin pasur si qëllim pengimin e z. Belerit për të fituar zgjedhjet vendore për Bashkinë e Himarës, gjë që u theksua dhe nga vetë z. Beleri.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page