ESTONIA + LETONIA + LITUANIA U SHKËPUTËN NGA RRJETI ELEKTRIK RUS | ATO DO TË LIDHEN ME RRJETIN E VETËM EUROPIAN TË ENERGJISË NËPËRMJET POLONISË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 8
- 1 min read

Bruksel, Belgjikë | Duke filluar nga kjo fundjavë, shtetet baltike - Lituania, Letonia dhe Estonia - do të shkëputen nga sistemi energjetik rus, e ashtuquajtura unaza “Brell” dhe do të lidhen me rrjetin e vetëm europian të energjisë, nëpërmjet Polonisë.
Një projekt sinkronizimi që filloi në vitin 2009 dhe që, sipas planit fillestar, duhej të kishte përfunduar në fillim të vitit 2026, por që u përshpejtua pas pushtimit rus të Ukrainës.
Siç raporton gazeta “The Baltic Times”, detyrën e kryerjes së konvertimit teknik të rrjetit do ta kryejnë operatorët e sistemit elektrik baltik: Augstsprieguma Tikls nga Letonia, Litgrid nga Lituania dhe Elering nga Estonia.
Ndërkohë, nesër kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të udhëtojë në Vilnius të Lituanisë, për të mbajtur një fjalim me rastin e sinkronizimit me rrjetin e Bashkimit Europian.
Në detaje, sot shtetet baltike do të shkëputen nga rrjeti rus duke filluar nga jugu.
Së pari Lituania do të shkëputet nga Rusia dhe Bjellorusia, më pas Letonia do të shkëputet, e ndjekur nga Estonia.
Nga sot deri nesër, të tre shtetet do të operojnë një sistem të izoluar të energjisë për afërsisht 24 orë dhe do të kryejnë teste për funksionimin e izoluar të sistemit të transmetimit të energjisë.
Nesër, më në fund, ata do të lidhen me rrjetin e vetëm elektrik të Evropës kontinentale nëpërmjet lidhjes Lituani-Poloni.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments