Talin, Estoni | Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Estoni, zhvilloi takime të veçanta me kryeministrin estonez Kristen Michal, kryetarin e Parlamentit Lauri Hussar, dhe me autoritete të tjera estoneze.
Presidenti Begaj e përqendroi fjalën e tij të rritja e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e aleancës si vende të rreshtuara në anën e duhur të historisë në përballjen me sfidat e përbashkëta për garantimin e sigurisë, paqes dhe zhvillimit.
“Kjo vizitë në Estoni - u shpreh presidenti Begaj gjatë bisedës me kryeministrin Kristen Michal - ka qenë shumë e frytshme dhe dëshmi e angazhimit të plotë të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve”.
“Le të forcojmë miqësinë tonë duke zgjeruar rrugët e bashkëpunimit ekonomik e duke mbështetur njëri-tjetrin në sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi”, tha presidenti Begaj gjatë bisedës me kryeministrin Kristen Michal, të cilin e falënderoi për ndihmën e dhënë ndaj Shqipërisë pas sulmit kibernetik të vitit 2022 dhe ndihmën për reformat administrative.
Ndërsa vlerësoi miqësinë mes dy popujve, presidenti Begaj solli në vëmendje disa momente historike të përbashkëta të Estonisë nën pushtimin sovjetik dhe të shkuarën komuniste të Shqipërisë, e cila, sipas presidentit Begaj, ka vuajtur si askush tjetër nën pushtimin e kësaj ideologjie.
Duke u ndalur në marrëdhëniet Shqipëri-Estoni ndër vite presidenti Begaj i përcolli falënderime kryeministrit Kristen Michal për mbështetjen në procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për rolin si avokate e fortë e zgjerimit të Unionit me Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Begaj përsëriti qëndrimin se Bashkimi Evropian në këtë moment ka nevojë strategjike për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor përballë rrezikut të influencës së aktorëve të tretë në rajon.
“Shqipëria - theksoi presidenti Begaj - ka konfirmuar besnikërinë e palëkundur ndaj politikave euroatlantike dhe së fundi e ka dëshmuar këtë me mbështetjen në çdo formë ndaj Ukrainës”.
Ndërkohë, në takimin me kryetarin e parlamentit estonez, z. Hussar dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Estoni-Shqipëri, z. Eerik-Niiles Kross, u theksua nevoja e rritjes së bashkëpunimit përmes grupeve parlamentare.
Presidentit Bega jiu kushtua një pritje e veçantë nga kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Talin, Jevgeni Ossinovski, si edhe nga z. Urmas Klaas, kryetar i Bashkisë së qytetit Tartu.
Gjatë qëndrimit në Estoni presidenti Begaj vizitoi qendrat më të rëndësishme të teknologjisë së informacionit dhe kibernetikës në Talin, si edhe Universitetin e Tartu-së, në Kolegjin e Mbrojtjes së Vendeve Baltike.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments