Uashington, Amerikë | Presidenti amerikan Xhëu Baidn (Joe Biden) miratoi një plan strategjik bërthamor shumë të klasifikuar për Shtetet e Bashkuara në muajin mars, i cili, për herë të parë, riorienton strategjinë e parandalimit të Amerikës për t'u fokusuar në zgjerimin e shpejtë të Kinës të arsenalit të saj bërthamor dhe përgatit Uashingtonin për herë të parë ndaj sfidave të mundshme të koordinuara bërthamore nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut.
Kështu shkruan enti mediatik Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times).
Ndryshimi vjen pasi Pentagoni beson se rezervat e Pekinit do të rivalizojnë ato të SHBA-së dhe Rusisë në madhësi dhe shumëllojshmëri gjatë dekadës së ardhshme.
Shtëpia e Bardhë nuk njoftoi kurrë miratimin e strategjisë së rishikuar, të quajtur “UDHËZIME PËR PUNËSIMIN BËRTHAMOR”.
Dokumenti, i përditësuar çdo katër vjet, është aq shumë i klasifikuar sa nuk ka kopje elektronike, por vetëm një numër i vogël kopjesh në letër u shpërndahen disa udhëheqësve të sigurisë kombëtare dhe komandantëve të Pentagonit.
Megjithatë, në fjalimet e fundit, raporton enti mediatik NYT, dy zyrtarë të lartë të administratës u lejuan të aludojnë për ndryshimin, me fjali të kufizuara, përpara një njoftimi më të detajuar dhe të paklasifikuar për Kongresin që pritej përpara se presidenti Baidn (Biden) të largohej nga detyra.
“Presidenti së fundi lëshoi udhëzime të përditësuara për përdorimin e armëve bërthamore për të llogaritur kundërshtarët e shumtë të armatosur bërthamorë”, tha Vipin Narang, një strateg bërthamor i MIT që shërbeu në Pentagon, në fillim të këtij muaji, përpara se të kthehej në akademi.
“Dhe në veçanti - shtoi ai - direktiva e armëve mori parasysh rritje të konsiderueshme në madhësinë dhe diversitetin e arsenalit bërthamor të Kinës”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments