El Salvador | Drejtësia e El Salvadorit ka shqiptuar deri në 188 vjet burg për një grup anëtarësh të bandës Mara Salvatrucha (MS-13) për krime të vrasjes dhe zhvatjes.
Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria me një shënim.
“Ata u gjetën fajtorë për 11 vepra të vrasjes së rëndë midis viteve 2007 dhe 2017”, tha prokuroria, por edhe për zhvatje ndaj tregtarëve, të cilëve u kërkonin nga pesë deri në 25 dollarë çdo 15 ditë.
Kësaj i shtohen: kanosjet, vjedhjet, armëmbajtja pa leje dhe bashkimi kriminal.
Ms-13 është një nga dy bandat kryesore aktive në El Salvador (së bashku me Barrio 18), të cilat kontrollojnë disa zona të vendit.
Mijëra anëtarë të këtyre bandave u arrestuan në bazë të direktivave të presidentit Najib (Nayib) Bukele i cili e bazoi programin dhe popullaritetin e tij kryesisht në luftën kundër krimit duke dekretuar një gjendje të jashtëzakonshme në fuqi nga viti 2022 e cila lejon arrestimet pa urdhër.
Nuk është hera e parë që drejtësia salvadorane vendos dënime të tilla me burg.
Në muajin qershor, një tjetër i pandehur u dënua me 460 vjet burg dhe shtatë të tjerë deri në 360 vjet.
Të paktën 81900 anëtarë të dyshuar të bandave janë burgosur në El Salvador që nga fillimi i luftës të nisur nga presidenti Bukele.
Megjithatë, disa organizata të të drejtave të njeriut i vënë në dyshim këto metoda, duke shprehur shqetësimin për burgosjen e mundshme të njerëzve të pafajshëm dhe kushtet e paraburgimit të tyre.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments