DISA FAMILJE PALESTINEZE PADITËN DEPARTAMENTIN AMERIKAN TË SHTETIT DUKE E AKUZUAR PËR SHKELJE TË TË ASHTUQUAJTURVE “LIGJET LEAHY”.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Dec 18, 2024
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Disa familje palestineze kanë paditur Departamentin e Shtetit të SHBA-së për mbështetjen e Uashingtonit për ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gaza, e cila, ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkaktuar një krizë humanitare.
Iniciatorët e padisë, të paraqitur në gjykatën e qarkut të kryeqytetit, pretendojnë se Departamenti i Punëve të Jashtme të SHBA-së nën udhëheqjen e z. Entëni (Antony) Blinken qëllimisht anashkaloi një ligj amerikan për të drejtat e njeriut për të vazhduar financimin dhe mbështetjen e njësive ushtarake izraelite të akuzuara për mizori në Gaza dhe Izrael.
Padia u ngrit nga pesë palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara.
Paditësi kryesor është një mësues nga Gaza, i cili, është zhvendosur shtatë herë në luftën aktuale dhe ka humbur 20 anëtarë të familjes.
Të ashtuquajturat Ligjet Leahy ndalojnë Shtetet e Bashkuara të ofrojnë ndihmë ushtarake për individët ose njësitë e forcave të huaja të sigurisë të implikuara në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Si Afrika e Jugut ashtu edhe Amnesty International kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës. Qeveria izraelite i ka mohuar akuzat.
“Dështimi i llogaritur i Departamentit të Shtetit për të zbatuar Aktin Leahy është veçanërisht tronditës përballë përshkallëzimit të paprecedentë të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut izraelite që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023”, thuhet në ankesë.
Lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 45000 njerëz, sipas ministrisë lokale të shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, ndërsa pothuajse e gjithë popullsia prej 2.3 milionë është zhvendosur.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments