
Moskë, Federata Ruse | Dhjetra banorë kanë filluar të dynden në varrezat e Borisovo të Moskës për të vendosur lule mbi varrin e liderit të opozitës Aleksi Navalni (Alexei Navalny), në përvjetorin e parë të vdekjes së tij në koloninë penale të Arktikut ku ai po mbahej i burgosur.
Fluksi, sipas asaj që u dëshmua nga agjencia italiane e lajmeve ANSA në vend, filloi menjëherë pas hapjes së portave, në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, pa ndërhyrë policia për ta parandaluar.
Të parët që bënë homazhe te varri i z. Navalni, menjëherë pas hapjes së portave, ishin disa ambasadorë dhe diplomatë të ambasadave evropiane, përfshirë atë italiane, si dhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, të cilët vendosën buqeta me lule.
E veja e z. Navalni: “Vazhdoni të luftoni për një Rusi të lirë dhe paqësore”.
Një vit pasi lideri i opozitës ruse vdiq pas hekurave mbështetësit e tij po përgatiten ta kujtojnë atë sot me ngjarje përkujtimore, pavarësisht rrezikut të reprezaljeve të qeverisë.
Z. Navalni u shpall ekstremist nga autoritetet në Moskë, një vendim që mbetet në fuqi pavarësisht vdekjes së tij në një koloni penale të Arktikut më 16 shkurt 2024.
Në Rusi, kushdo që përmend z. Navalni ose Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit pa deklaruar se të dy janë shpallur ekstremistë përballet me gjoba ose deri në katër vjet burg.
QYTETARËT BËJNË HOMAZHE TE VARRI I NAVALNIT NË MOSKË.
“Përkrahësit e Alekseit do të mbajnë ngjarje përkujtimore në mbarë botën”, shkroi në Telegram ish ndihmësi i z. Navalni, z. Leonid Volkov.
“Në disa vende do të ketë demonstrata apo marshime, në të tjera do të shfaqet dokumentari ‘Navalny’, në disa vende do të ketë ceremoni përkujtimore”, shtoi ai.
E veja e z. Navalni, Julia Navalnaia (Yulia Navalnaya) do të ndajë kujtimet e bashkëshortit të saj në një ngjarje në Berlin, ku janë vendosur shumë mbështetës të opozitës ruse.
“Kudo që të jeni, në Rusi apo jashtë saj, ne me të vërtetë shpresojmë që më 16 shkurt do të takoni njerëz me të njëjtin mendim”, shkroi z.Volkov, duke dhënë orët e hapjes së varrezave Borisovskoye të Moskës ku është varrosur z. Navalni.
Por kanalet ruse Telegram pro-Kremlinit paralajmëruan mbështetësit që të mos shkojnë në varreza.
“Ne u japim një këshillë të shpejtë atyre që po planifikojnë të shkojnë, por nuk janë ende të sigurt: mos shkoni”!
Mesazhi paralajmëron “Big Brother dhe syri i tij gjithmonë vigjilent”, me një foto të shenjës së kamerës së sigurisë në portat e varrezave.
Znj Navalnaia u bëri thirrje mbështetësve të saj që të vazhdojnë luftën për një Rusi të lirë dhe paqësore.
“Ne e dimë se për çfarë po luftojmë: Rusia e së ardhmes, e lirë, paqësore dhe e bukur, ajo për të cilën ka ëndërruar Aleksei, është e mundur”, tha ajo në një video të transmetuar nga ndihmësit e saj.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të realizuar ëndrrën e tij”, tha ajo.
Ndërkohë, lëvizja opozitare ruse - e detyruar në mërgim nga një goditje e paprecedentë - është e rrënuar nga grindjet e brendshme dhe e dobësuar rëndë nga humbja e liderit të saj.
Të mërguar në vende të ndryshme, figurat kryesore të saj janë përpjekur të ringjallin luftën kundër sundimit të gjatë të presidentit Vladimir Putin edhe në Rusi, ku kritikat ndaj autoriteteve dënohen ashpër.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments