Pekin, Kinë | Dezinformimi në internet nuk përhapet si një sëmundje ngjitëse, por më tepër si një reaksion zinxhir i ndarjes bërthamore: kjo demonstrohet nga një model i ri matematikor i cili tregon sesi përhapja e lajmeve të rreme ndikohet nga përdorimi pak a shumë racional që përdoruesit i bëjnë internetit dhe mediave sociale virtuale.
Rezultatet e studimit, të dobishme për zbatimin e politikave të reja për të luftuar fenomenin, janë publikuar në revistën Aip Advances nga studiues në Universitetin Normal Shandong, në Kinë.
Për të studiuar përhapjen e dezinformatave në ueb, zakonisht përdoren modele matematikore të huazuara nga epidemiologjia.
“Modelet e përdorura për përhapjen e sëmundjeve infektive - thotë autori i parë i studimit Uenrong (Wenrong) Zheng - i shohin përhapjen e dezinformatave si një proces pasiv në të cilin njeriu merr infeksionin, pa marrë parasysh ndryshimet e sjelljes dhe psikologjike të njerëzve në botën reale, si dhe ndikimin e ngjarjeve të jashtme në përhapjen e thashethemeve”.
Përkundrazi, studiuesit kinezë kanë vënë re disa ngjashmëri që lidhin përhapjen e lajmeve të rreme me mekanizmin e reaksionit zinxhir që ndodh në reaktorët bërthamorë.
Në modelin e tyre, lajmet e rreme në internet sillen si neutrone, grimcat e vogla nënatomike që shkaktojnë ndarjen bërthamore, ndërsa përdoruesit e internetit janë si bërthamat e uraniumit që goditen: interesat personale dhe sjellja e këtyre individëve përcaktojnë nëse lajmi do t'u transmetohet menjëherë njerëzve të tjerë, pak si pragu i ndarjes së uraniumit përcakton nëse reaksioni zinxhir mund të fillojë apo jo.
“Shkalla e përhapjes së lajmeve të rreme është e lidhur ngushtë me përqindjen e përdoruesve racionalë të internetit”, shpjegon z. Zheng.
“Kjo pasqyron rëndësinë e arsimit: sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më e lehtë është të vihet në dyshim thashethemet kur merr informacion që është e vështirë të njihet si e drejtë ose e gabuar”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Комментарии