Londër, Britani e Madhe | Mbretëria e Bashkuar njoftoi të enjten se do të transferojë sovranitetin mbi Ishujt Çagos (Chagos), të sunduar tani si Territori Britanik i Oqeanit Indian, në Mauritius pas më shumë se dy shekujsh kontrolli.
Një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keër Starmër (Keir Starmer) dhe homologu i tij mauritian Pravind Jugnauth e përshëndeti marrëveshjen si një marrëveshje politike historike mbi ushtrimin e sovranitetit mbi arkipelagun Çagos (Chagos), e cila, do të shënojë fundin e kontrollit britanik mbi ishujt.
Baza ushtarake britaniko-amerikane në ishullin kryesor të arkipelagut Diego Garsia (Garcia) do të mbetet funksionale për një periudhë fillestare prej 99 vjetësh për të siguruar rolin e saj të vazhdueshëm në sigurinë rajonale dhe globale.
Mbretëria e Bashkuar do të autorizohet të ushtrojë të drejtat sovrane të Mauritiusit mbi Diego Garsinë (Garcia). Vendimi pason dy vjet negociata mbi të ardhmen e ishujve midis dy kombeve.
Përveç transferimit të sovranitetit, Britania e Madhe do të ofrojë një paketë financiare për Mauritiusin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe financuar projekte strategjike.
Mbretëria e Bashkuar dhe Mauritiusi do të bashkëpunojnë më shumë për mbrojtjen e mjedisit, sigurinë detare, luftimin e peshkimit të paligjshëm, migracionit të parregullt dhe trafikimit të drogës dhe keqbërësve brenda arkipelagut Çagos (Chagos), me objektivin e përbashkët për të siguruar dhe mbrojtur një nga mjediset detare më të rëndësishme në botë.
Arkipelagu Çagos, dikur shtëpia e një popullsie të vogël indigjene, u pastrua me forcë nga Mbretëria e Bashkuar në fund të viteve 1960 për t'i hapur rrugë ndërtimit të bazës ushtarake në Diego Garsia (Garcia), e dhënë me qira në SHBA.
Largimi i mbi 1000 çagoianëve ka qenë një pikë grindjeje për dekada, me shumë pasardhës që vazhdojnë të luftojnë për të drejtën për t'u kthyer në tokën e tyre stërgjyshore.
Sipas marrëveshjes së re, Mauritiusi do të jetë i lirë të fillojë një program risistemimi në ishujt në arkipelag, duke përjashtuar Diego Garsinë (Garcia).
Mbretëria e Bashkuar është angazhuar gjithashtu të krijojë një fond besimi për të mirën e çagoianëve, duke adresuar ato që deklarata i referohet si gabimet e së kaluarës.
Përpara negociatave, Britania e Madhe u përball me izolim diplomatik në rritje për pretendimin e saj ndaj ishujve.
Në vitin 2019, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë pas një opinioni këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) duke deklaruar se pushtimi i vazhdueshëm i ishujve Çagos (Chagos) nga Mbretëria e Bashkuar ishte i paligjshëm dhe kërkonte që arkipelagu të kthehej te Mauritiusi.
Delegatët e OKB-së i kanë kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të respektojë vendimin.
Gjatë negociatave, shumë çagoianë ishin të frustruar nga mungesa e përfshirjes së drejtpërdrejtë në përcaktimin e së ardhmes së tyre.
Marrëveshja premton përpjekje për të adresuar gabimet e së kaluarës dhe të demonstrojë përkushtimin e të dyja palëve për të mbështetur mirëqenien e çagoianëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments