BANDA E SHQIPTARËVE NË GREQI: PAGUANI GJOBA QË T’JU MBROJMË BIZNESET | U ARRESTUAN: UKSHIM HOTI NGA TIRANA + ROLAND KADIU NGA KLOSI + NEXHMI MURATAJ NGA KOTA E SELENICËS + 1 GREK + 1 EGJIPTIAN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 14
- 3 min read

Athinë, Greqi | Strukturat greke të hetimit penal arrestuan:
1- Z. Ukshim Hoti, me moshë 41 vjeç, nga Tirana.
2- Z. Roland Kadiu, me moshë 43 vjeç, nga Klosi.
3- Z. Nexhmi Murataj, me moshë 42 vjeç nga Kota e Selenicës.
4- Një qytetar grek, me moshë 34 vjeç.
5- Një qytetar egjiptian, me moshë 38 vjeç.
Ata vepronin si organizatë kriminale. Anëtarët e saj kërcënonin pronarët e lokaleve dhe bareve dhe u vendosnin gjoba të majme, ndryshe nuk u garantonin mbrojtje dhe për pasojë ambientet e tyre të biznesit do të dëmtoheshin.
Videot e transmetuara në mediat greke i tregojnë me fytyrat e mbuluara, duke hyrë në lokale, bare, apo dyqane të ndryshme, për të kërcënuar pronarët e bizneseve.
Siç rezultoi nga hetimi i oficerëve të Departamentit të Zhvatjes që çmontuan organizatën, autorët lëviznin në qendër të Athinës.
Ata hynin në biznese, linin një copë letër me numrin e celularit dhe u kërkonin pronarëve t'i telefononin për të rënë dakord për tarifën që do t'u jepej për t'u siguruar atyre mbrojtje.
Organizata vepronte kryesisht në zonat Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas, ku anëtarët e saj kërkonin një pagesë mujore nga biznesmenët për të shmangur dëmtimin e pronave të tyre.
Aktet e tyre kriminale u hetuan nga oficerët e Departamentit të Zhvatjes, të cilët, pas një operacioni policor kanë vënë në pranga pesë persona, konkretisht një grek, një egjiptian dhe tre shqiptarë.
Hetimi penal kulmoi mbrëmjen e 12 shkurtit 2025, kur oficerët e policisë vëzhguan disa persona me fytyrë të mbuluar duke lëvizur në zonën e Kato Patisias dhe duke iu afruar pronarëve të dyqaneve me qëllimin për të kërkuar pagesën e shumave me pretekstin e mbrojtjes.
Ndaj tyre janë ngritur akuza penale për organizim kriminal, tentativë gjobvënieje, dhunë ndaj zyrtarëve dhe personelit gjyqësor si dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Policia ka arritur të lokalizojë të dyshuarit, në orët e mbrëmjes së datës 12.02.2025, në një dyqan në Kato Patisia, Athinë, ku janë ndaluar dhe arrestuar, pavarësisht reagimit të tyre fillestar të dhunshëm.
Nga kontrollet fizike, si dhe nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe sekuestruar:
1- Dy (2) makina dhe motoçikleta.
2- Mjete për lehtësimin e veprimtarive të paligjshme.
3- Pesë thika të palosshme.
4- Dy këllëfa.
5- Një armë zjarri e shkurtër brezi (pistoletë).
6- Një jelek luftarak + jelek antiplumb + kapele + maskë + doreza + shënime të shkruara me dorë (adresa, emra dhe shuma numerike).
7- tetë telefona të lëvizshëm (qelizorë).
8- 6900 €.
Nga hetimet e deritanishme, rezultoi se të pandehurit u kanë zhvatur shuma parash 4 pronarëve të dyqaneve në Athinë.
Nexhmi Murataj rezulton pjesë e grupit kriminal “Lions” në Athinë. Grupi kriminal shqiptar “Lions” me qendër në Athinë, prej disa kohësh është kthyer në epiqendër të dhjetëra krimeve të ndodhura në shtetin fqinj, duke lënë pas edhe persona të vrarë.
Grupi kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët operojnë rreth klubit të njohur “Bellavita” në kryeqytetin grek, dyshohet se ka lidhje me njerëz të fuqishëm të botës së krimit brenda burgjeve greke, të akuzuar madje deri edhe për trafik kokaine nga Amerika Latine.
Në epiqendër të veprimtarisë së tyre dyshohet se është kontrolli i shpërndarjes së drogës, ruajtja e lokaleve të natës kundrejt pagesës si dhe vepra të tjera me qëllime përfitimi.
Në këtë kuadër ky grup kriminal dyshohet se ka krijuar lidhje shumë të forta edhe me njerëz të policisë e organeve të drejtësisë greke pasi edhe pse janë akuzuar për krime të rënda, kanë arritur të fitojnë lirinë duke u bërë objekt edhe i shkrimeve në mediat greke.
Z. Murataj konkretisht rezulton se është i akuzuar edhe për ngjarjen kriminale të 21 shkurtit të vitit 2023, e ndodhur në Nea Ionia, në Athinë, ku nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë z. Pëllumb Delvina, me moshë 40 vjeç, nga Delvina.
Nuk dihet se si z. Murataj dhe disa anëtarë të tjerë të “Lions” të akuzuar për këtë vrasje kanë përfituar lirinë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments