APELI I GJKKO-së LA NË FUQI MASËN E SIGURIMIT VETJAK “ARREST ME BURG” PËR KRYETARIN E ARRESTUAR TË BASHKISË SË TIRANËS ERION VELIAJ | VENDIMI U SHQIPTUA NGA GJYQTARI ENGERT PËLLUMBI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Mar 13
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Apeli i GjKKO-së ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Z. Veliaj kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë të GjKKO-së, duke kërkuar masë më të lehtë sigurimi vetjak kundrejt garancisë pasurore.
Vendimi u muar nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
Seanca gjyqësore e cila zgjati afro 3 orë, nisi me fjalën e avokatëve të kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës Erion veliaj, të cilët, deklaruan qëndrimin e tyre në lidhje me provat e reja që u paraqitën nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) të marten (disa biseda të përgjuara gjatë kohës që z. Veliaj ndodhej në paraburgimin e Durrësit).
Avokati Artur Selmani deklaroi në gjykatë, se përgjimet telefonike ku z. Veliaj fliste me familjarët e tij nuk mund të merren si kërcënim apo intimidim për askënd, dhe nuk mund të përdoren për të rënduar pozitën e kryebashkiakut, i cili, kërkon një masë më të butë sigurie, edhe përkundrejt garancisë pasurore.
Avokati Artur Selmani i mëshoi faktit se nuk ka asnjë rrezik që në liri, z. Veliaj të prishë provat, të arratiset apo të intimidojë gjyqtarët.
Në të njëjtën linjë me avokatin ishte edhe vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili, tha në seancë se në përgjimet nuk ka asgjë sekrete, teksa kërkoi seancë të hapur për mediat.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments