ALEANCA E LULËZIMIT TË DRONËVE KINË-RUSI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 6 days ago
- 5 min read

Nga z. Deivid Kiriçenko (David Kirichenko)*.
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Kur ushtarët ukrainas të rrethuar dëgjojnë ulërimën treguese të dronëve mbi pozicionet e tyre këtë verë, pamjet e kamerave të luftës së tyre ka shumë të ngjarë të përfundojnë në duart e ekipeve teknologjike ruso-kineze, të cilët, më pas do t'i përdorin ato për të përmirësuar pajisjet e tyre vdekjeprurëse.
Përfshirja e ekspertëve kinezë në luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po bëhet gjithnjë e më intime dhe e gjerë, duke i bërë jehonë lidhjeve të ngushta ushtarake midis të dyjave në luftën koreane të viteve 1950-53, kur ato luftuan kundër ShBA-ës dhe armikut të përbashkët aleat.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha më 27 maj 2025 se Kina ka ndaluar shitjen e dronëve “Mavic” në Kiev dhe vende të tjera evropiane, ndërsa ka vazhduar dërgesat në Rusi.
Ai shtoi: “Ka linja prodhimi në territorin rus ku ka përfaqësues kinezë”.
Znj. Maria Berlinska, drejtuese e Qendrës së Mbështetjes së Inteligjencës Ajrore dhe një nga ekspertet kryesore të dronëve në Ukrainë, paralajmëroi se pavarësisht historisë së inovacionit të vendit të saj, projektet shkencore sistematike dhe monumentale të ekipeve të përbashkëta inxhinierike ruso-iraniane-kineze po kanë një efekt të thellë.
Ajo tha se Rusia së shpejti do të jetë në gjendje të lëshojë më shumë se 1000 dronë të tipit Shahed çdo ditë (në muajin maj, sulmi më i rëndë i vetëm përdori 472).
“Ukraina po mbetet qartësisht prapa në garën teknologjike - tha ajo - ndërsa Rusia ecën përpara përmes një strategjie të koordinuar shtetërore, investimeve masive në kërkim dhe zhvillim dhe mbështetjes nga partnerët e saj të huaj”.
Prej kohësh dihet se Kina i ka dërguar ndihmë ushtarake Rusisë.
Në muajin shtator, Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Kërt Kampbell (Kurt Campbell), paralajmëroi se ndihma ishte e konsiderueshme.
“Këto nuk janë aftësi me përdorim të dyfishtë. Këto janë pjesë përbërëse të një përpjekjeje shumë të konsiderueshme nga ana e Kinës për të ndihmuar në mbështetjen, ndërtimin dhe diversifikimin e elementëve të ndryshëm të makinës ruse të luftës”, tha ai.
Oficerët kinezë gjithashtu kanë vizituar vijën e frontit të Rusisë për të studiuar luftën nga afër.
Ukraina ka raportuar se Kina furnizon 80% të elektronikës kritike të përdorur në dronët rusë, së bashku me sigurimin e makinerive, barutit dhe materialeve të tjera për të paktën 20 fabrika të mëdha ushtarake ruse.
Ajo mbështet prodhimin e raketave të Rusisë me materiale jetësore, duke mundësuar prodhimin e vazhdueshëm të raketave balistike Iskander-M, të cilat, bien mbi qytetet ukrainase.
“Pa mbështetjen e Kinës, makina e luftës e Putinit ndalet”, shkroi senatori amerikan Lindsei (Lindsay) Graham në mediat sociale.
Kina mund ta përdorë Ukrainën si një terren testimi dhe është e etur (ashtu si edhe vendet perëndimore) të fitojë një pjesë të teknologjisë së ardhshme të fushëbetejës.
Në muajin nëntor të vitit 2023, gjenerali ukrainas Valeri Zaluzhni (Valerii Zaluzhnyi) pranoi se lufta kishte arritur në një ngërç dhe se nevojitej një hap i madh teknologjik për të arritur një përparim.
Fusha e betejës atëherë kishte marrë karakteristikat e luftës në llogore, por tani dronët gjuajnë ushtarë dhe automjete të blinduara nga lart.
Z. Zaluzhni, tani ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, tha se dronët kishin shkaktuar transformimin e të gjithë arkitekturës së betejës.
Ndërsa dronët e kontrolluar me radio mbushën qiellin dhe lufta elektronike i bëri shumë sulme të vështira, gara teknologjike u zhvendos drejt dronëve të shënjestrimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale dhe dronëve me fibra optike.
Këta të fundit deri më tani kanë dominuar pasi është më e lehtë t'i zhvillosh dhe t'i vendosësh ato, duke i bashkangjitur një tel të hollë një droni për të ndihmuar në mbrojtjen nga lufta elektronike.
Ukraina po nxiton të përpiqet të arrijë, por Rusia është ende përpara në prodhimin e tij, gjë që do të ndihmojë ofensivën e saj aktuale verore.
Z. Oleksii Zhulinski, drejtor ekzekutiv i prodhuesit ukrainas të dronëve 3DTec, paralajmëroi se bobinat e kabllove me fibra optike të prodhuara në Kinë shpesh përmbajnë defekte të fshehura që shkaktojnë dështimin e dronëve në mes të fluturimit.
Megjithatë, ato janë jashtëzakonisht efektive dhe i japin një avantazh Rusisë, e cila, përdor burimet e saj më të mëdha për t'i dhënë përparësi dronëve me fibra optike, sipas inteligjencës ukrainase.
Në të kundërt, shumë nga dronët e Ukrainës mbështeten në donacione private, duke kufizuar sasinë e avionëve me fibra optike për shkak të kostove më të larta.
Ndërkohë, mbrojtja ajrore e Ukrainës është nën një presion të madh, ndërsa përpiqet të kundërshtojë numrin e madh të dronëve dhe raketave ruse.
Disa sisteme Patriot janë vendosur rreth Kievit, por rusët janë përshtatur.
Raketat balistike Iskander të Moskës tani kryejnë manovra shmangëse gjatë fazës së tyre të fundit, duke e bërë të vështirë për sistemet Patriot të llogarisin dhe të kapin trajektoret e tyre.
“Iskander mund të lëshojë karrem të aftë për të mashtruar raketat Patriot”, tha z. Juri (Yurii) Ihnat, zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës.
Z. Mik Raian (Mick Ryan), një gjeneral-major i ushtrisë australiane në pension, tha: “Rusët kanë mësuar të mësojnë më mirë dhe më shpejt sa më gjatë që ka zgjatur lufta”.
Z. Oleksandr Jakovenko (Yakovenko), drejtor ekzekutiv i TAF Drones, një nga prodhuesit më të mëdhenj të dronëve në Ukrainë, u pajtua, duke paralajmëruar se Rusia ecën hap pas hapi.
“Nëse vazhdon kështu për dy vjet të tjera, do të jetë e pamundur për ne të vazhdojmë të mbrohemi”, tha ai.
Ndërsa Ukraina ka arritur të mbajë vijën e frontit për më shumë se tre vjet duke përdorur zgjidhje të improvizuara dhe me teknologji të ulët, këto tani po tejkalohen nga përparimet sistematike dhe të financuara mirë nga kundërshtarët e saj.
“Pa një hap si në shkencën themelore ashtu edhe në atë të aplikuar, Ukraina rrezikon të humbasë avantazhin e saj, pasi zgjidhjet e përkohshme përfundimisht do të dështojnë dhe morali mund të bjerë”, tha Berlinska.
“Vitin e kaluar, kjo betejë adaptimi midis Ukrainës dhe Rusisë është shndërruar në një luftë globale adaptimi.
Rusia ka formuar një komunitet mësimor me Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe ndoshta edhe të tjerë”, tha z. Raian (Ryan).
Ai shtoi se Kina tashmë po teston dronë të përparuar me fibra optike.
“Së bashku ata po ndajnë mësime nga fusha e betejës, po bashkëpunojnë në zhvillimin e teknologjisë dhe shmangien e sanksioneve, ndërkohë që ndajnë dhe bashkëpunojnë gjithashtu mbi metodat e shtrëngimit, përmbysjes, dezinformimit dhe, natyrisht, duke mësuar dhe përshtatur”, tha ai.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është bërë një terren stërvitjeje për kundërshtarët e Perëndimit për të mprehur aftësitë e tyre dhe për të thelluar bashkëpunimin teknologjik.
Teknologjia dhe taktikat që po shfaqen tani mund të përdoren një ditë për të luftuar ShBA-ës.
*Z. Deivid Kiriçenko (David Kirichenko) është gazetar i pavarur dhe bashkëpunëtor kërkimor në Henry Jackson Society.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios