top of page
E BARDHË SHIRIT.png

AGJENCIA E MBIKQYRJES POLICORE ARRESTOI POLICIN ARMAND MARVATAJ | AKUZOHET SE MORI 10 MIJË € NGA JUXHIN KOKA PËR TA FURNIZUAR ME NAFTËN E KAPUR KONTRABANDË.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Durrës, Shqipëri | Strukturat rajonale të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore arrestuan:

1- Punonjësin e Policisë së Shtetit Armand Marvataj, me moshë 21 vjeç, të cilit, i ishte caktuar detyra të ruante anijen “AYA ZANOYBYA” të Tanzanisë, e sekuestruar më 13 janar 2025, me 200 ton naftë kontrabandë në bord.

 

Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, pasi mori ryshfet 10 mijë euro nga z. Juxhin Koka, me moshë 31 vjeç, tashmë i shpallur në kërkim policor, që të lejonte nxjerrjen e qindra litrave naftë nga anija, punë që e bëri në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes.

 

Nxjerrja e naftës është bërë në mes të ditës, rreth orës 15:00 të 27 janarit 2025 në Porto Romano, ku anija ishte ankoruar që prej sekuestrimit me vendim gjykate.

 

Agjentët e AMP dhe Policia e Durrësit, bënë ri-këqyrje të anijes, përfshirë edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Porto Romano, të cilat kanë filmuar momentet e nxjerrjes së naftës, e cila është marrë me tub përmes një pompe dhe është ngarkuar në autobot.

 

Nga ekspertimi i mostrave të marra në anije rezultoi se nafta ishte zëvendësuar me ujë.

 

Njoftim | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës finalizuan me sukses operacionin “TURNI”, ku pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë i mundur arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë së Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, Inspektor Armand Marvataj, 21 vjeç, i dyshuar për "Shpërdorim detyre" dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Juxhin Koka, 31 vjeç dhe D. M. 34 vjeç, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Arrestimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve të lartpërmendur është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.01.2025, rreth orës 15:00, ata kanë bërë nxjerrjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga Anija “AYAZANOYBYA” me flamur të Tanzanisë, që ishte ankoruar dhe sekuestruar në Porto Romano, e cila ka qënë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria Durrës.

 

Nga hetimet e kryera nga AMP dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës ka rezultuar se punonjësi i policisë Armand Marvataj, ka lejuar kundrejt pagesës prej 10,000 euro, të dhënë nga shtetasi Juxhin Koka, nxjerrjen e sasisë së naftës të ndodhur në anije, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit.

 

Gjithashtu, në bashkëpunim janë kryer të gjitha veprimet proceduriale, duke përfshirë ri-këqyrjen e anijes, këqyrjen e pamjeve filmike në Porto Romano Durrës, marrje deklarimesh dhe marrjen e mostrave për ekspertim në të gjithë zonat e balastarve dhe ka rezultuar se sasia e naftës që ndodhej në këto hapësira në momentin e sekuestrimit (datë 12.01.2025) ishte zëvendësuar me ujë.

 

Në vijim të veprimeve, janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” si më poshtë;

1. L. K., 29 vjeç

2. ⁠ F. I., 23 vjeç (shtetas sirian)

3. ⁠A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian)

4. ⁠ S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian)

5. ⁠ H. B., 47 vjeç (shtetas sirian)

6. ⁠S. B., 53 vjeç (shtetas egjyptian)

7. ⁠W. B., 42 vjeç (shtetas sirian).

 

Materialet proceduriale do referohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për hetime të mëtejshme.

 

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page