Gjirokastër, Shqipëri | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar Shefin e Sektorit të Shërbimeve Operacionale të Gjirokastrës, Kryekomisar Agim Fejzo, i cili, dyshohet për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, rezulton se z. Fejzo, ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Njoftim | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e policisë, Kryekomisar A.F., me detyrë Shef i Sektorit të Shërbimeve Operacionale në DVP Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Nga hetimet intensive disa mujore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments