Tiranë, Shqipëri | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi dy punonjës të Policisë së Shtetit (Reparti Shqiponja), konkretisht;
1- Z. Elton Dokollari.
2- Z. Florian Zeneli.
Ndaj tyre Gjykata e Tiranës ka shqiptuar masat e sigurimit vetjak “detyrim paraqitje” lidhur me një ngjarje të ndodhur në muajin mars të vitit 2024.
Mbetet në kërkim policor subjketi me shkronjat instore të gjeneraliteteve R. B., ndaj të cilit Gjykata ka shqiptuar masën e sigurimit vetjak “arrest në burg”.
Njoftim | Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykate, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posacme “Shqiponja”:
-Inspektor R. B, 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;
-Inspektor Elton Dokollari, 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-Inspektor Florian Zeneli, 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Коментарі