top of page
E BARDHË SHIRIT.png

8 TË VDEKUR + 59 TË PLAGOSUR NGA SULMI IZRAELIT NË BEJRUT: U VRA UDHËHEQËSI I NJËSISË ELITARE TË HEZBOLLAHUT | IBRAHIM AKIL ISHTE PJESË E KËSHILLIT TË XHIHADIT.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Bejrut, Liban | Sulm izraelit në periferinë jugore të Bejrutit. Një burim i afërt me Hezbollahun thotë se z. Ibrahim Akil (Aqil), kreu i forcës elitare të Hezbollahut Al-Radwan, u vra në sulm.

 

Numri i viktimave të sulmit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, është rritur në tetë të vdekur dhe 59 të plagosur.

 

Sipas raporteve të entit mediatik Haartez, z. Akil u lirua nga spitali sot pasi u plagos kur shpërtheu radiomarrësja e tij.

 

Sipas mediave ndërkombëtare, anëtarë të tjerë të njësisë elitare të Hezbollahut Radwan u vranë së bashku me komandantin e njësisë elitare teksa po mbanin një takim.

 

Sipas entit mediatik Sky News Arabia, numri dy i Forcave Quds të Gardianëve të Revolucionit Islamik të Iranit, Muhammad Reda Fallahzadeh, u vra gjithashtu në sulmin izraelit në periferi jugore të Bejrutit.

 

E shkruan vetë transmetuesi në llogarinë e tij në rrjetin social virtual Iks (X). Lajmi ende nuk është konfirmuar nga burime të tjera.

 

Z. Ibrahim Akil ishte pjesë e Këshillit të Xhihadit, organit më të lartë ushtarak të Hezbollahut, shkruan enti mediatik izraelit Times of Israel.

 

Ai kërkohej gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij në bombardimin në vitin 1983 në një kazermë të marinës në Bejrut dhe për drejtimin e marrjes së pengjeve amerikanë dhe gjermanë në Liban në vitet 1980.

 

I njohur si Tahsin (Tahseen), z. Akil ishte anëtar i Këshillit të Xhihadit, organi më i lartë ushtarak i Hezbollahut. Një shpërblim prej 7 milionë dollarësh ishte vendosur për të prej vitesh nga qeveria amerikane.

 

Tashmë në vitin 2015, Shtetet e Bashkuara e kishin klasifikuar z. Ibrahim Akil terrorist dhe emri i tij ishte i lidhur me sulme të shumta terroriste në mbarë botën dhe aktivitet ushtarake edhe në Siri.

 

Forca Mbrojtëse e Izraelit (IDF) konfirmoi se kishte kryer një sulm në qytet.

 

Mediat libaneze tregojnë pamje të kraterit të ndërtesës të shkatërruar në periferi jugore të Bejrutit nga sulmi ajror izraelit.

 

Dëgjohen britma dhe klithma civilësh në vend, njerëz që vrapojnë për të kërkuar viktima nën rrënoja, sirena të ambulancës në distancë.

 

Pesë fëmijë u vranë nga Izraeli në Bejrut në sulmin ajror në periferi jugore të kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria libaneze e Informacionit.

 

Enti mediatik Hezbollah TV, al Manar, tha se Izraeli kreu një sulm me disa raketa të lëshuara në periferi jugore të Bejrutit kundër një ndërtese në zonën Jamus.

 

Ushtria izraelite, pasi konfirmoi sulmin në Bejrut, njoftoi se për momentin udhëzimet e sigurisë për civilët në frontin e brendshëm izraelit nuk do të ndryshojnë.

 

Një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se Jeruzalemi ka arritur në përfundimin se nuk do të jetë në gjendje të arrijë një zgjidhje diplomatike për frontin verior pa kaluar përmes përshkallëzimit ushtarak: kjo është arsyeja pse ne kemi hequr dorezat dhe kemi shtuar sulmet kundër Hezbollahut. Kjo u raportua nga z. Barak Ravid, një gazetar i mirëinformuar nga entet mediatike Walla dhe Axios, në rrjetin social virtual Iks (X).

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page