
Athinë, Greqi | Autoritetet greke të hetimit penal arrestuan dy veta si të dyshuar si pjesëmarrës në sulmin e armatosur ndaj:
1- Z. Irakli Davella, me moshë 47 vjeç (i cili mbeti i vdekur).
2- Z. Edmond Hysa (Edi Lulo), i cili, mbeti i plagosur rëndë.
Të arrestuarit janë:
1- Z. Jenis Tulja (i njohur edhe si Denis Ruçi) me moshë 44 vjeç, nga Tirana.
2- Z. Mirjan Guveli (i njohur edhe si Marjo Guveli), me moshë 45 vjeç, nga Saranda.
Arrestimi i tyre është bërë në një operacion të zhvilluar njëkohësisht në dy banesa në lagjet “Nea Smyrni” dhe “Peristeri” të Athinës, ku mësohet se është sekuestruar edhe një armë zjarri.
Dy të dyshuarit janë zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë së lëvizjes së automjetit nga u qëllua me armë zjarri.
Kumtohet se ata nuk kanë lidhje me subjektet ndaj të cilëve u ndërmuar sulmi i armatosur, duke bërë që të ngrihen hamendësime sa ata janë vrasës me pagesë.
Sulmi i armatosur ngjau pak minuta pas orës 13:00, të së dielës, të datës 15 dhjetor 2024.
Kumtohet se sulmi ndaj tyre u ndërmuar nga subjekte të krimit të organizuar për çështje që lidhen me tregtinë ndërkombëtare të drogërave të rënda.
Z. Irakli Davella, ishte subjekt kriminal i njohur mirë nga autoritetet greke të hetimit penal, sepse, në vitin 2011 ai figuronte si pjesë e një dosjeje hetimore ku bënin pjesë edhe 9 subjekte kriminalë të tjerë, shumica e të cilëve ishin pjestarë të agjenturës së krimit ordiner, të përqendruar në akte tejet të rënda kriminale.
Ai rezultonte i përfshirë edhe në një dosje të hapur nga Sigurimi grek i Korfuzit, ku bënin pjesë 17 veta.
Lajm në përditësim, …👇👇👇
Athinë, Greqi | Autoritetet greke të hetimit penal u sekuestruan të dyshuarve si vrasës me pagesë një mori sendesh të ndryshme.
Operacioni policor për kapjen e tyre u zhvillua në “Peristeri” dhe “Nea Smyrni” të Athinës duke çuar në arrestimin e shtetasve Jenis Tulja (i njohur edhe si Denis Ruçi), me moshë 44 vjeç nga Tirana dhe Mirjan Guveli (i njohur edhe si Marjo Guveli), me moshë 45 vjeç nga Saranda.
Ata akuzohen për veprat penale të parashikuara si:
1- “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
2- “Vrasje”.
3- “Armëmbajte pa leje”.
4- “Falsifikim”.
5- “Mbajtje lëndësh narkotike”.
Nga mbledhja dhe vlerësimi i mëvonshëm i të dhënave penale dhe nga i gjithë materiali parahetimor i grumbulluar u arrit të gjendej automjeti i përdorur për kryerjen e aktit kriminal, i parkuar në zonën e Smirinës së Re (Nea Smyrni).
Autorët e ngjarjes kriminale kanë përdorur gjithsej 4 automjete për kryerjen e saj, duke lëvizur në mënyrë zinxhir nga njëri në tjetrin, për të shmangur identifikimin dhe zbulimin.
Për të shmangur arrestimin nga policia, autorët i kanë ndryshuar targat e automjetit që përdornin për t’iu afruar viktimave, e kanë parkuar vazhdimisht në vende të ndryshme dhe u janë afruar rregullisht për qëllime vëzhgimi, duke mbajtur një profil të ulët, duke mos treguar identitetin e tyre real në kontratën e qirasë.
Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre gjatë arrestimit, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale me karakter kompromentues penal:
1- Dy (2) armë zjarri automatike të gjata krahu “Kallashnikov”.
2- Një (1) armë zjarri automatike “Scorpions”.
3- Dy (2) jelekë antiplumb.
4- Njëqind e tetëmbëdhjetë (118) fishekë luftarakë.
5- Gjashtë (6) krehëra.
6- Tre (3) zhurmëmbytës (silenciatorë).
7- Pranga.
8- Tre (3) thika.
9- Pajisje TASER.
10- Pajisje portative GPS.
11- Gjashtë (6) gramë hashash.
12- Aparate telefonikë të lëvizshëm.
13- Karta SIM.
14- Një (1) dron.
15- Dylbi.
16- Pesë (5) automjete.
17- Çelës automjeti.
18- 79500 € të thata.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comentários