
Romë, Itali | Leonardo dhe Baykar, një prodhues kryesor turk i dronëve, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të krijuar një sipërmarrje të përbashkët 50-50 që do të zbatohet brenda tre muajve të ardhshëm.
Marrëveshja mbulon prodhimin e përbashkët të dronëve, duke përfshirë modele të avancuara si Akinci gjashtë-tonësh, të aftë për të transportuar ngarkesa sulmuese deri në një ton, dhe TB2, një dron më i lehtë vetëvrasës.
Aktivitetet e prodhimit do të vendosen si në Itali ashtu edhe në Turqi.
Në Itali, prodhimi do të bëhet në fabrikat e Piaxhos (Piaggio) në La Specia (Spezia) për montim dhe në Ronçi dei Lexhionari (Ronchi dei Legionari) për prodhimin e komponentëve aeronautikë.
Prodhimi i komponentëve elektronikë do të përqendrohet në Romë.
Ndërmarrja e përbashkët planifikon të fillojë prodhimin në fillim të vitit 2026.
Marrëveshja sigurisht që përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në bashkëpunimin industrial dhe teknologjik midis Italisë dhe Turqisë, duke konsoliduar pozicionin e të dy vendeve në sektorin e hapësirës ajrore dhe të mbrojtjes falë kombinimit të ekspertizës së tyre përkatëse në inxhinieri dhe teknologji të përparuar.
Certifikimi i dronëve Baykar do të bëhet në Itali, sipas direktivave të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ky hap është i rëndësishëm sepse do t'i lejojë Baykar-it të hyjë në të gjithë tregun e Bashkimit Evropian.
Baykar, një lider global në sektor me një xhiro prej 1.8 miliardë dollarësh, falë kësaj marrëveshjeje 50/50 me Italinë, pozicionohet si lider në prodhimin e dronëve në Evropë, pa rivalë në kontinent, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Marrëveshja midis Leonardo-s dhe Baykar-it jo vetëm që konsolidon lidershipin e tyre në Evropë, por gjithashtu hap mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në kategori të tjera të dronëve të përmasave të vogla.
Dronët Baykar fituan famë gjatë konfliktit të fundit të rrufesë në Karabakh, ku luajtën një rol vendimtar në eliminimin e forcave të blinduara armene dhe pozicioneve të fortifikuara.
Më pas, ato u përdorën edhe në Ukrainë, ku, pavarësisht efektivitetit fillestar, u neutralizuan nga rusët pas tre muajsh përmes përdorimit të bllokuesve, mjeteve të avancuara të luftës elektronike.
Me integrimin e elektronikës së avancuar të Leonardos, e njohur si superiore dhe më elastike se ato turke, dronët Baykar mund të bëhen shumë më të vështirë për t'u kapur.
Aktualisht, Leonardo furnizon komponentë elektronikë me vlerë 300 milionë euro për industrinë turke, nga të cilat 50 milionë direkt Baykar.
Ky kontribut nënvizon epërsinë teknologjike italiane në sektorin e elektronikës, fushë në të cilën Leonardo gjeneron një xhiro vjetore prej gjashtë miliardë eurosh.
Marrëveshja, raporton një njoftim për shtyp, bazohet në sinergjitë industriale dhe komplementaritetet e dy kompanive në fushën e teknologjive pa pilot.
Ndërmarrja e përbashkët, me bazë në Itali, do të merret me projektimin, zhvillimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve ajrore pa pilot.
Partneriteti do të shfrytëzojë platformat e avancuara pa pilot të Baykar-it, të cilat kanë provuar efektivitetin operacional në tregjet ndërkombëtare, dhe përvojën e Leonardo-s në projektimin e sistemeve të misionit dhe ngarkesës dhe certifikimin aeronautik të lidhur në Evropë.
Kompanitë, të dyja të angazhuara në zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve UAV (Mjetet ajrore pa pilot), sistemet elektronike, ngarkesat, C4I (Komanda, Kontrolli, Komunikimet, Kompjuterët dhe Inteligjenca), Inteligjenca Artificiale, sistemet e integruara të misionit, pajisjet dhe shërbimet hapësinore, do të sigurojnë ndërveprim brenda ekosistemeve me shumë domene.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, Leonardo dhe Baykar synojnë të ndjekin së bashku mundësitë si në tregun europian ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke shfrytëzuar gjithashtu sinergjitë e mëtejshme në sektorin e hapësirës.
“Me Baykar, ne po krijojmë një lojtar të ri referimi në teknologjitë pa pilot, i cili do të luajë një rol gjithnjë e më qendror në të ardhmen e Mbrojtjes”, thotë z. Roberto Çingolani (Cingolani), CEO dhe Drejtor i Përgjithshëm i Leonardo-s.
“Sot ne po nënshkruajmë një aleancë të re ndërkombëtare që lejon një hap të rëndësishëm përpara në fushën e sistemeve pa pilot, duke hapur mundësi të reja tregu, veçanërisht në Evropë”, tha ai.
“Si një lider global në zhvillimin, prodhimin dhe eksportin e UAV-ve të armatosura, Baykar-i është fokusuar gjithmonë në shtyrjen e kufijve të inovacionit në aviacionin pa pilot.
Aftësia e Leonardo-s me famë botërore në sistemet C4I dhe njohuritë e tij të mëdha në teknologjitë e Inteligjencës Artificiale e bëjnë këtë bashkëpunim edhe më domethënës.
Partneriteti strategjik me Leonardo shënon një moment historik të rëndësishëm në zgjerimin e gjurmës sonë teknologjike dhe forcimin e pranisë sonë në mbarë botën.
Baykar-i do të kombinojë teknologjitë etike të inteligjencës artificiale me aftësitë e jashtëzakonshme të Leonardo Company General Use në Inteligjencën Artificiale për të zhvilluar zgjidhje të gjeneratës së ardhshme që do të përcaktojnë të ardhmen e sistemeve ajrore pa pilot.
Së bashku, kjo sinergji do të japë supremacinë përfundimtare të ajrit të drejtuar nga IA për të ardhmen e aftësive mbrojtëse”, tha z. Selçuk Bayraktar, president dhe CEO i Baykar-it.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios