
Bruksel, Belgjikë | Gjigandi suedez i baterive të makinave elektrike, i financuar me 15 miliardë dollarë, ka shpallur falimentimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kina po përgatitet të marrë pjesët.
Një rënie e shpejtë dhe ndoshta tashmë e pritur. Northvolt-i, startup-i suedez i konsideruar si shpresa e madhe e Evropës për pavarësi në prodhimin e baterive të makinave elektrike, ka paraqitur kërkesën për falimentim në Shtetet e Bashkuara.
Kompania, e themeluar në vitin 2016 nga ish-ekzekutivi i Tesla-s, Peter Carlsson, kishte hapur një degë tregtare në Amerikë në vitin 2022 për të zgjeruar tregun e saj përtej Evropës.
Për këtë arsye, më 21 nëntor 2024, u bë e mundur apelimi në Kapitullin 11, ligji amerikan i falimentimit i cili ofron mbrojtje më të madhe se ligjet evropiane, duke lejuar që biznesi të vazhdojë ndërkohë që kërkohet një marrëveshje me kreditorët.
Me borxhe prej 5.8 miliardë dollarësh dhe vetëm 30 milionë dollarë para në dorë, të mjaftueshme për një javë operimi, Northvolt-i ka nevojë urgjente për financim të ri prej 1-1.2 miliardë dollarësh.
“Unë do të thosha se ka ende dritë në tunel”, deklaroi zëvendëskryeministrja suedeze Ebba Busch për entin mediatik “Euractive”, me një optimizëm të kujdesshëm, por në realitet situata duket kritike.
Kompania duhet t'i kthejë 313 milionë Bankës Evropiane të Investimeve dhe tashmë ka parë dorëheqjen e CEO të saj Peter Carlsson, i cili, pranoi gabimet e bëra ndërsa ftoi Evropën të mos braktiste planet për krijimin e një kampioni kontinental të baterive, për të mos hequr dorë nga aksione të mëtejshme të tregut në Kinë.
Një apel ndoshta i destinuar të bjerë në vesh të shurdhër, sepse linja e shpëtimit për Northvolt-in mund të vijë nga Pekini.
Siç raporton gazeta italiane Il Sole 24 Ore, kompania filloi negociatat sekrete verën e kaluar me Catl.
“Diskutimet paraprake mes suedezëve dhe kinezëve u zhvilluan në selinë e Catl në Ningde të Kinës”, zbulon gazeta italiane.
Shëmbëlltyra e një gjiganti: Ai u krijua për të konkurruar me gjigantët aziatikë të baterive, duke shfrytëzuar energjinë hidroelektrike të Suedisë veriore.
Northvolt-i kishte mbledhur më shumë se 15 miliardë dollarë investime, duke përfshirë gati 5 miliardë dollarë grante dhe kredi nga Kanadaja, Bashkimi Evropian, Gjermania, Polonia dhe Suedia.
Aksionerët kryesorë përfshijnë grupin Volkswagen me 21% dhe Goldman Sachs me 19% të aksioneve.
“Banka amerikane e investimeve ka njoftuar tashmë se deri në fund të vitit do të vazhdojë të fshijë plotësisht ekspozimin e saj ndaj Northvolt-it, i cili arrin në 896 milionë dollarë”, siç raporton revista Start.
Ndërkohë, Volkswagen ka bërë të ditur se aksionet e tij, të vlerësuara në 1.4 miliardë euro, tani janë më pak se gjysma.
Në vitin 2020 kompania kishte nënshkruar kontrata miliardë dollarësh: 2 miliardë euro me BMW dhe 14 miliardë me Volkswagen, si dhe bashkëpunime me Scania, Volvo dhe kompaninë portugeze të energjisë Galp.
“Libri i porosive i kaloi 50 miliardë dollarë”, shkruan revista Ekonomisti (The Economist), aq sa në vitin 2023 u fol edhe për një listim të mundshëm në bursë me një vlerësim që kalon 20 miliardë dollarë.
Pas dështimit: Problemet u shfaqën tashmë këtë verë. BMW kishte anuluar kontratën prej 2 miliardë dollarësh të nënshkruar në 2020 për shkak të pamundësisë së Northvolt-it për të furnizuar vëllimet e dakorduara.
Gjiganti suedez kishte vënë bast gjithçka për zgjerimin e shpejtë: ndërsa fabrika kryesore në Skelleftea, në Suedinë veriore, po prodhonte më pak se 1% të kapacitetit të saj, duke gjeneruar humbje prej 1.2 miliardë dollarësh në vitin 2023.
“Menaxherët ishin aq të etur për t'u zgjeruar, saqë ata neglizhuan bazat”, shkroi revista Ekonomisti (The Economist).
Për më tepër, zgjedhja për t'u mbështetur në makineritë dhe teknikët kinezë do të kishte krijuar probleme të mëdha komunikimi dhe papajtueshmëri teknike që paralizuan prodhimin.
Në muajin korrik, kompania nisi një rishikim strategjik që e bëri atë të shpallte pushime masive nga puna - 1600 punonjës, një e pesta e fuqisë punëtore të saj globale - dhe mbylljen e disa vendeve.
Prandaj Northvolt-it iu desh të zvogëlonte ambiciet e saj: në vend që të synonte vetëmjaftueshmërinë në zinxhirin e furnizimit të baterive, ajo u përqendrua vetëm në prodhimin e qelizave.
Siguria ishte gjithashtu një çështje kritike. Siç raporton gazeta Kohërat Finaciare (Financial Times), një vit më parë një punëtor humbi jetën si pasojë e një shpërthimi në fabrikën Skelleftea.
Në muajin dhjetor të vitit 2023 një punëtor ndërtimi humbi jetën dhe një tjetër u plagos gjatë punimeve të zgjerimit në uzinë. Në fillim të këtij viti tre punonjës u gjetën të vdekur në rrethana ende të paqarta.
Skenari gjeopolitik: Rënia e Northvolt-it nxjerr në pah kufijtë e strategjisë së baterive të Evropës.
Grupet e mëdha aziatike - veçanërisht kinezët Catl dhe Byd , por edhe koreano-jugorët Lg Energy Solution dhe SK On - kontrollojnë rreth 70% të tregut global për bateritë për makina elektrike, një komponent që përbën rreth 40% të çmimit përfundimtar të automjeteve.
Debakli suedez po zbulon kufijtë e sistemit rregullator evropian. Programi Automotive Cells Company (Acc), i cili përfshin Stellantis, Mercedes-Benz dhe TotalEnergies, ka pezulluar planet për fabrikat në Gjermani dhe Itali pasi ka përfunduar vetëm fabrika giga në Francë, për shkak të kostove të larta të prodhimit në krahasim me konkurrentët aziatikë dhe kërkesës së dobët evropiane për makina elektrike.
“Ne praktikisht po e mbysim konkurrencën evropiane në një labirint rregullash”, shpjegoi zëvendëskryeministrja suedeze Ebba Busch për Euractive, duke theksuar se si kompleksiteti i autorizimeve po ngadalëson jo vetëm ndërtimin e fabrikave të reja, por të gjithë zinxhirin evropian të prodhimit të baterive.
Kreu evropian raporton se Suedia, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur tashmë një dokument të përbashkët për ministrat e industrisë së BE-së për të kërkuar një reformë të sektorit.
Dështimi mund të forcojë në mënyrë paradoksale praninë e Kinës në Evropë: gjigandi Catl, i cili mban më shumë se 37% të tregut global, tashmë ka një fabrikë në Erfurt, Gjermani dhe po ndërton një fabrikë 7.6 miliardë euro në Debrecen, në Hungari, me një kapacitet vjetor prodhimit prej 100 GWh i planifikuar për vitin 2025.
Për krahasim, Northvolt-i nuk arriti kurrë të arrijë kapacitetin e projektuar prej 16 GWh në impiantin e tij kryesor në Suedi.
Tregu evropian i makinave elektrike nuk po ndihmon: këtë vit rritja vlerësohet të jetë afër zeros, ndërsa tregu kinez po shkon drejt +30%.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments